Sunday, June 8, 2008

Ndoc Gjetja-Poeti i Dhiatës Poetike- nga Ndue Ukaj



Ndoc Gjetja - Poeti i Dhiatës Poetike

Ndue Ukaj

Në çdo kulturë letrare, poetët që shkruajnë Dhiatën poetike, mbesin emblema të përjetësuara e të ngritura në piedestalet më të lartë nacionale. Nuk ndodh shpesh që të shkruhet kjo Dhiatë, sepse për të shkruar Atë, lypsen frymëzime të rralla, e të cilat zaten ju vijnë vetëm njerëzve të zgjedhur. Ndoc Gjetaj ishte i tillë, i predestinuar për të bërë punën e krijuesit. Ai iku, me fytyrën e Krishtit të mbuluar me një dhembje hyjnore (Kolec Traboini), por e shkroi Dhiatën e poezisë shqipe, një shkëndijë që do të gjallojë për jetë e mote, ngase atë nuk mund ta mbuloj terri e as antipoezia, të cilat i luftoi mjeshtërisht.
Poezia e Ndoc Gjetjes “është kurora e letërsisë imagjinative, sepse ajo është një mënyrë profetike”(Harold Bloom), e cila parakoncepton jetën e poetit, perceptimet e tij për botën përreth tij, për fenomene tokësor e qiellore, për dashurinë, si toposin themelor të poezisë së tij. Kësisoj, ajo bëhet një shkollë e veçantë poetike, e cila komunikon një gjendje kulturore të posaçme, brenda një konteksti të zymtë poetik nëpër të cilën gjalloj poezia e tij dhe ai vetë. Nëpër këtë ferr, poezia e tij triumfoi, me armët e fuqishme, që janë metaforat e tij goditëse, dashuria e tij e pafundme dhe morali i fuqishëm.
Poeti Gjetja, këndoi me gjuhën poetike, të derdhur si në bronz. Ai, materien poetike e nxori nga jeta përreth tij, nga përjetimet subjektive, të cilat i perceptoi dhe i përjetoi me sensin e krijuesit, dhe i transfiguroi në poezi, me gjuhën e orakullit. Ai shfrytëzoi bukur traditën e madhe e letërsisë, për t’u shndërruar në një promotor të saj, në një poet që vlerësohet me vend, si simbol i poetit të dashurisë. Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se ai pati funksionin e orakullit të frymëzuar në letërsinë shqipe, edhe pse i heshtur, pa pelerinën e dekoratave dhe pa duartrokitjet e rreme. E pra, ai ndërtoj kurorën poetike, vetëm me poezi të bukura, sikur që është poezia e antologjike “Epitaf për vetën” , në të cilën profetizon jetën e tij deri në çastin kur mbylli sytë, humanizmin e pashembullt dhe artin e kulluar poetik: “nga vetja e tepruar nxirrte vjersha/ dhe gjithë njerëzit i quante shoke”. Ky subjekt lirikë, do të tkurret në jetë e poezi, për të lënë vargje emblematike në letërsi. Vuajta e tij, ishte predestinim për të krijuar një poezi kaq madhështor për ne, kaq humane, kaq të bukur, si: “Dhe shkoi e hyri ne manastirin e Unit/ te shpëtonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes/...Pastaj e përcollën ne banesën e fundit/ me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës”.
Duke vazhduar traditën e poezisë shqipe të krijuar nga Qarku letrar dhe kulturor i Shkodrës, Ndoc Gjetja vazhdoi ta thelloj atë, me nuanca të reja moderne, dhe bashkë me Frederik Reshpjen, përbën boshtin e poezisë bashkëkohore shqipe, të asaj poezi që nëpër shëmtitë letrare, kaloj e panjollë për në parnasin poetik.
Ndoc Gjetja, poeti që jetoi dhe shkroi se: “Poetet jetojnë ne Qytetin e Ideve” (Qyteti i ideve), ishte një kreshtë e madh e thurur me ide, me rravgime poetike nga më të çuditshmet dhe me imagjinatë shumë të bujshme, siç janë poetet e mëdhenj. Ai la tharmin shpirtit të tij poetik, si testament feje, la një poezi të frymëzuar nga dhiata shpirtit të tij, që bëhet identifikim subjektiv dhe shkreptinë shkëndija dashuri, tamam si prototipi i tij Jezu Krishtit, kryqin e të cilit e mban përditë ne shpine (Autoportret) dhe me të rrugëton drejtë ne Kishën Apostolike te Poezisë (Curriculum). Janë të paktë ata poetë që e fjalën poetike e peshojnë aq shumë, për ta ndërtuar tempullin e poezisë, një aureolë poetike, që mishëron të bukurën dhe të këndshmen, në funksione thellësisht etike, sikurse është poezia e Gjetjes- një poezi e ndërtuar nga sekuenca jete e që bëhen shkëndija poezie. E tillë është poezia e tij e përjetshme; poezi që jashtë çdo funksioni praktikë, ka synim të bukurën, bëhet kurorë e së bukurës dhe si e tillë mbetet model autentik i poezisë shqipe.
Shkrimtari John Milton, pat shkruar se një: “Një i ditur, është si një qiri që ka dashurinë dhe dëshirën, të gjithë njerëzit t’i ndriçoi”. Këto tipare kaq të fisme, kaq hyjnore, kaq njerëzore, kaq të jashtëzakonshëm, i ngërthen poezia e Ndoc Gjetjes, e cila rrezaton ngrohtësi, freski, dashuri, humanizëm, në shumëtrajtësinë e saj dhe në shumëdimensionalitetin e saj- të diskursit dhe të poetikës. Ai krijoi një poezi elitare, thellësisht të inspiruar, të ndjerë e të jetuar. Kështu përshembull, poezia e tij “Dashuria” është një ungjill poetik, i konstruktuar me një diskurs të fuqishëm lirikë, në të cilën, kjo ndjenjë sublime dhe superiore njerëzore, ngrihet në lartësitë e plotfuqishme, para së cilës poeti dorëzohet, madje edhe atëherë kur ajo i shkakton aq shumë dhembje. Vargjet e kësaj poezie, janë drithërimat e shpirtit të ekzaltuar poetik, të njeriut të pasionuar pafundësisht për të bukurën, të njeriut që di të dashuroj deri në infinit. E, ketë dashuri e ngjizi në vargje të bukura, të cilat të shtangin trupin për fuqinë që kanë dhe të tronditin mendjen për mesazhet që përçojnë: “O perëndeshë e gjithëpushtetshme/ e universit mashkull-femër!/ Bëj ç'të duash me veten time/ jam instrumenti yt i verbër/ Në jetë më solle kaq shumë dhimbje/ dhe shqetësime pa mbarim/ po s'jam ankuar kundër teje/ as me gojë e as me shkrim/ Më hidh në zjarr, në det, në ferr!/ Më hidh në baltë, më hidh në hon!/ Veç të lutem mos më lër.../në atë vend ku ti mungon! “
Poezia e tij, me tiparet e saj moderne, shquhet për ritmet e brendshme poetike, të cilat përcjellin dhembjet e subjektit lirik, si notat e një simfonie të përkryer. Poezia e tij, tingëllon si muzika e shpirtit të dëlirë, ku lexuesi i pasionuar dhe lexuesi i kultivuar i letërsisë, prehen me madhështinë e humanizmit, me artin e fuqishëm që vihet në funksion të edukimit, të moralit, të së bukurës, tipare këto që e shquajnë atë dhe e bëjnë krejtësisht të veçantë në letërsinë shqipe. Ky është poeti që imagjinatën e ka të pafund dhe ajo i lundron mistereve të poezisë, ku vetëm një krijues i rrallë dhe me imagjinatë të bujshme depërton, siç del te vargjet: “Ne rendin e pafund te numrave te plote/ matematikisht, ti je me i vogli/ por, ti papritur u bere i madh/ ne saje te zerove qe te shkojnë pas” “Njëshit”). Këto zero, simbolikisht shprehin botën e vetmuar të poetit, të cilës me kohë i bashkëngjiten koret e njerëzve, lexuesit e pasionuar. Janë këto zero, të cilat i ngjiten poezisë së Gjetjes, këtij Njëshi poetik.
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, Ndoc Gjetja nuk do të mbahet mend si poeti që mjeli lopën e shterur të patriotizmit poetik, siç do të na thoshte Krist Maloku, nuk do të mbahet mend si poet që glorifikoi rrejshëm idetë e revolucionit dhe artin e masave, ai nuk e pranoi shëmtinë e kohës dhe ideologjisë, sepse ishte i formësuar për të qenë “kryeneç” me poezinë e tij të papërkulur: “Gjendja civile: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore/ se nuk diti t'u japë përkuljet e duhura eproreve” (Autoportret). Mirëpo, ai krijoi një letërsi thellësisht të bukur, të inspiruar nga e bukura, pikërisht atë lloj të letërsisë që e sugjeron shkrimtari i mirënjohur amerikan, William Faulkner, pra një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, vuajta, dramat njerëzore, etj. Këto perceptime për letërsinë, në rrafshet universale gjallojnë në mënyrë harmonike, brenda tematikës së poezisë së Ndoc Gjetjes dhe e bëjnë atë një poetik modeluese në poezinë shqipe. Ai ju shmang temave patetike, artit poetik deskriptiv dhe si një orakull me frymëzime mbitokësore, krijoi një poezi të inspiruar, subjektive, një lirikë të pastër, që relacionin mes së bukurës dhe produktit të saj- poezisë, e vuri në suaza të ndjenjave dhe perceptimeve të tij imagjinative të pakufishme. Poezia e tij shquhet për forcën e ideve, për universin e pafundmë të komunikimeve që ndërton, me botën e madhe të letërsisë, me antikitetin dhe Biblën, këto dy strombullara të letërsisë perëndimore. Dhiata biblike bëhet shënjues i poezisë së tij në librin me titull, “Dhiata ime”. Ndërsa antika vjen si evokim dhe reminishencë e kontesktualizuar, në poezinë e tij, përmes poezisë së shkëlqyer “Herakliti” dhe vargjeve jashtëzakonisht të realizuara bukur, si në planin tematik, gjithashtu në atë stilistik: ”Ne moshen 70 vjec, filozofi Heraklit/pati kërkuar ti nxjerrin syte/ -Pse Heraklit? -e pyeten krirurgu dhe shokët/ -Me pengojnë, -tha, -për te pare boten/ Dhe vrimat e veshëve i mbylli me dylle/ te dëgjoje zërat e vetvetes me mire./ Dhe rrinte i ngrire me ore te tera/ duke ndjellur ne koke mendime te thella/ Tmerrohej nga prekja e sendeve me duar/ çdo send e quante "një djalle i shëmtuar"/ Për te ruajtur te pastër dashurinë, i gjori/ tere jetën një femër për grua s'e mori./ S'kishte shtëpi dhe u thoshte te gjithëve/ -Kam lindur dhe banoj ne kokën time”.
Ashtu sikurse Dhiata që vlerësohet të jetë një libër i veçantë në kuadër të librave të panumërt në rruzullin tokësor dhe burim frymëzim për jete e poezie, nëpër breza të tërë, si mishërim i fjalës Hyjnore, gjithashtu, jeta e Ndoc Gjetjes është mishërim i veçantisë njerëzore dhe poezia e tij, mishërim i kësaj fuqie imagjinative poetike. Prandaj, si e tillë do të mbetet një testament poetik i bukur i poezisë shqipe.
Nëse do të kërkohej një poet i përveçëm në poezinë shqipe, që diti t’iu ik shablloneve, dogmave, që diti të krijoj një poezi thellësisht të inspiruar, me tipare tokësore dhe qiellore, një poezi që gufon nga ndjenjat e fuqishme të dashurisë, një poezi që komunikon fuqishëm me gjuhën e artit, pa dyshim se njëri nga ta do të jetë Ndoc Gjetja. Këtë fuqi poetike e hasim mjeshtërisht te poezia “Femrave”:
”Pa ju ne jemi gjysma njerëzish/ se ju për ne jeni gjysma tjetër/ Tek dashuria bëhemi te plote as te mangët e as te tepërt/ Sikur te dija te thurja sentenca/ ashtu siç fatmirësisht bënë Saadiu/ Juve do t’ju jepja metaforën Vreshta/ Për vete do te metaforën shiu”.
Poezia e tij, është një arenë e tendosjeve të pafundme, e dhembjeve të mëdha dhe si e tillë, bëhet reflektim emocional i shpirtit të trazuar, të cilin e rrahin fuqishëm tallazet e një jete bizare, e një jete, e cila i shëmbëllen vuajtjeve të kryqit të Krishtit. Poezia e tij, me gjithë tonin e fuqishëm të dhembjes që ka, me gjithë tallazet e fuqishme shpirtërore që përçon, asnjëherë nuk është montone, por është një reflektim thellësish njerëzor, emocional, ku lexuesi ndjen dridhmat e bukura, me gjuhën e ëmbël poetike. Edhe kur godiste dukuritë degjeneruese përreth tij, këtë e bënte me një pedanteri poetike: “Ç'mrekulli do te kishte qene/ sikur te jepnin qe sot dorëheqjen/ presidenti dhe çdo lloji ministri!/ Dhe ta merrte pushtetin Shpirti” (”Sikur”)
Ndoc Gjetja iku, duke lënë testamentin e fjalës poetike, që sikur shenja e tij poetike, është ylli udhërrëfyes, i cili do të rrezatoj dhe ndriçoj brezat në poezinë shqipe. Poezia e tij është një dhiatë e shpirtit hyjnor dhe kësisoj do të vlerësohet në poezinë shqipe.

No comments: